Prizreni - Qytet i trashëgimisë kulturore
Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti, si një vend
unik në Ballkan, për vlerat e trashëgimisë kulturore, të civilizimeve
dhe religjioneve të ndryshme.
Falë pozitës së favorshme gjeografike, gërshetimit harmonik të
këtyre kulturave gjatë historisë dhe një numri të lakmueshëm të
monumenteve të të gjitha kohërave, qyteti i Prizrenit me plot të drejtë
mban epitetin e qytetit muze,muzeut nën qiellin e hapurapo edhe të
Dubrovnikut të Ballkanit, për tu radhitur si njëri ndër qytetet më
të bukura të Kosovës.
I vendosur rrëzë maleve të Sharrit,(që janë shpallur park nacional),
në të dy brigjet e Lumbardhit dhe në kryqëzimin e rrugëve të
rëndësishme tregtare mes lindjes dhe perëndimit, qyteti i Prizrenit,
gjatë historisë ishte i njohur si qendër e rëndësishme kulturore,
ekonomike e diplomatike.
Në mes të Adriatikut dhe Egjeut
Në rrjedhën e shekujve,duke filluar nga periudha iliro-dardane,
romake dhe ajo bizantine, Prizreni ishte njëri ndër stacionet kryesore
në rrugën Via de Zenta që lidhte qytetet bregdetare të Adriatikut me
qendrat tjera në brendi të vendit.
Duke u ndërlidhur me rrugën jugore Via Egnatia, që shkonte deri në
Selanaik, Therandaantike apo Prizdrianae kohës bizantine, ishte urë
lidhëse në mes të brigjeve të detit Adriatik dhe atij Egje.
Seli e një Ipeshkvie bizantine, Prizreni më 1204 bie nën sundimin
bullgar, ndërsa më 1282 pushtohet nga serbët. Në kohën e sundimit të
mbretërve Dushan dhe Urosh, Prizreni ishte qendër e rëndësishme fetare,
politike e ekonomike.
Qendër vilajeti dhe qendër konsulare
Pas pushtimit turk më 1455, Prizreni kreu funksionin e qendrës së
sanxhakut, ndërsa me organizimin e ri administrativ të Perandorisë
Osmane, bëhet qendër vilajeti.
Në gjysmën e dytë të shek.XIX-të, në Prizren hapen përfaqësitë
diplomatike të disa vendeve të Europës. Austria ishte vendi i parë që
hapi përfaqësi konsulare, ndërsa këtë hap e ndoqën edhe Rusia, Anglia e
Italia.
Prizreni zë vend të veçantë edhe në historinë e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekje serioze për
mbrojtjen e integritetit tokësor dhe identitetit kombëtar të
shqiptarëve.
Prizreni-qendër ekonomike
Në kohën e dominimit të prodhimtarisë zejtare, Prizreni u ngrit në
një nga qendrat më të mëdha zejtare në Ballkan. Në punëtoritë e shumta
të këtij qyteti ushtroheshon më shumë se 120 lloje zejesh, nga më të
ndryshmet. Prodhimet e zejtarëve prizrenas jo vetëm se shiteshin në
tregjet e mbarë Perandorisë Osmane, por ato depërtonin edhe në vende
tjera, madje edhe deri në Indi.
Në veçanti është e njohur tradita e përpunimit artizanal të metaleve fisnike filigrani.
Prizreni sërish mund ta fitojë shansin e vet historik në kuadër të një
impakti ekonomik e kulturor. Revitalizimi dhe mbrojtja e fondit të
trashëgimisë kulturore si dhe inkurajimi në riaktivizimin e atyre
veprimtarive karakteristike ekonomike, do të mundësonin që Prizreni të
bëhet partner i denjë në bashkëpunimin kulturor e ekonomik me qytetet
tjera të Ballkanit, Europës Juglindore dhe më gjërë.
Shansi turistik
Falë infrastrukturës së instaluar kulturore e cila përpiqet të jetë
në funksion të ruajtjes, kultivimit dhe prezentimit të vlerave të
trashëgimisë së kulturës materiale e shpirtërore, qyteti i Prizrenit
shansin e vet e projekton edhe në zhvillimin e turizmit si veprimtari
ekonomike profitabile.
Prizreni ka një potencial të lakmueshëm vlerash kulturore të trashëguara nga periudha të ndryshme historike.
Me 24 lokalitete arkeologjike të identifikuara, me 39 objekte kulti të
krishtera, 46 objekte sakrale islame, me mbi 74 objekte me
karakteristika të theksuara të arkitekturës folklorike, Prizreni synon
të bëhet një qendër e frekuentuar turistike.
Kalaja që ngritet në kodrën mbi qytet, Kisha e Shën Premtes, Manastiri
i Kryeengjujve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedrala e Zonjes
Ndihmëtare, Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës, Ura e
Vjetër e Gurit, janë vetëm një pjesë e trashëgimisë së kulturës
materiale që mund të hasen në qytetin e Prizrenit.
Prizreni është i njohur edhe për traditën e mirë të kultivimit të
arteve të bukura. Në te janë organizuar dhe vazhdojnë të organizohen
manifestime të shumta kulturore tradicionale. Festivali i këngës së
vjetër qytetare-« Zambaku i Prizrenit », Festivali i filmit dokumentar
dhe të shkurtër « Dokufest » fillimi i mbarë punës së Teatrit
Profesionist të qytetit, Festa e vjeljes së rrushit dhe një varg
ngjarjesh tjera kulturore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, e
bëjnë Prizrenin edhe më joshës në planin turistik. Kur kësaj i shtohen
edhe bukurite e rralla natyrore të Maleve të Sharrit me qendrën e
njohur skitare, me të drejtë mund të thuhet se mozaiku i kërkesave
turistike plotësohet në tërësi.
Strategjia e zhvillimit dhe ruajtja e karakterit histoik
Në strategjinë e zhvillimit dhe të investimeve në infrastrukturën
kulturore të qytetit të Prizrenit, vend me rëndësi do të zë edhe
restaurimi i objekteve të trashëgimisë, në funksion të krijimit të
kushteve sa më normale për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në to.
Për këtë qëllim po bëhen përpjekje të vazhdueshme që përmes kontakteve,
vizitave dhe formave tjera të bashkëpunimit, të fitohet përvoja e duhur
për prezentimin sa më profesional të vlerave kulturore të Prizrenit
edhe në qarqet kulturore e shkencore ndërkombëtare. (Ekspozita:
Trashëgimia Arkitekturale dhe Urbane e Prizrenit, Perlat e Kulturës
Popullore të Prizrenit
).
Me krijimin e parakushteve elementare, mendohet të restaurohen dhe të vehen në shërbim disa nga objektet vijuese:
Kalaja e qytetit: Fortifikatë e periudhes iliro-dardane, më pas romake,
bizantine, sllave e turke, gjallëroi deri më 1915, kur u shkatrrua nga
bullgarët, gjatë Luftës së Parë Boterore.
Me rehabilitimin e mureve rrethuese, brendisë së saj dhe rrugës që
shpie deri në Kala, mund të krijohen parakushtet për ndërtimin e një
amfiteatri me skenën verore, që do të shfrytëzohej për aktivitete të
ndryshme kulturore. Në të mund të organizohen koncerte, shfaqje
teatrore, festivale muzikore dhe të filmit si dhe manifestime tjera të
kësaj natyre. Inaugurimi i amfiteatrit dhe skenës verore në Kala, do të
kontribuonte në pasurimin e jetës kulturore të Prizrenit dhe të Kosovës.
Muzeu Arkeologjik: Është i vendosur në Kullën e Sahatit dhe galeritë e
Hamamit të Ahmet Shemsudin Beut. Në te janë të ekspozuara 790 njësi
arkeologjike, të zbuluara në regjionin e Prizrenit, që datojnë nga koha
antike, mesjeta e deri në shek.XIX.
Po të krijoheshin kushtet normale për sistemimin, konservimin e lëndës
arkeologjike si dhe pasurimin e njësive muzeale me eksponate të reja,
me një menaxhim të arsyeshëm dhe transparent, Muzeu Arkeologjik mund të
bëhet njëri ndër objektet më të vizituara kulturore të qytetit.
Hamami i Gazi-Mehmet Pashës: I ndërtuar më 1573, është njëri nga tre
Hamamet më të mëdhenj në Ballkan, pas Hamamit të Husret Beut në
Sarajevë dhe atij të Daut Pashës në Shkup.
Aktualisht, galeritë e Hamamit të G.M. Pashës shfrytëzohen me të madhe
për ekspozita figurative e fotografike, për takime e promovime letrare,
koncerte të muzikës kamertale, etj.
Art-Qendra kulturore-rinore: Është hartuar dhe prezentuar
projekt-propozimi për ngritjen e Art-Qendrës kulturore-Rinore. Ndërtimi
i saj do të ishte dhurata më e mirë për artdashësit, punëtorët kulturor
dhe qytetarët e Prizrenit.
Synimet:
Duke iu referuar potencialit të pamohueshëm kulturor, traditës
historike dhe mundësive reale të bashkëpunimit, synim afatgjatë mbetet
që edhe qyteti i Prizrenit të inkuadrohet në rrjetin e rrugëve
kulturore të rajonit të Ballkanit dhe të Europës.
Në këtë mënyrë,Prizrenit do ti jepej vendi i merituar në varganin e
margaritarëve të trashëgimisë së kulturës universale botërore, si qytet
i traditës historike.
Kliko këtu për të shkarkuar materialin në gjuhën angleze
Kliko këtu për të shkarkuar materialin në gjuhën frënge
E përgatiti:
Urim Ukimeri-koordinator i Sektorit të Kulturës
